Secondary Adv

Tenderi 90 mln euro për hekurudhën Durrës–Rrogozhinë shtyhet deri më 22 korrik

Hekurudha Shqiptare ka shtyrë afatin për dorëzimin e ofertave në tenderin ndërkombëtar me vlerë 90 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë.

Sipas njoftimit të përditësuar të publikuar në platformën europiane TED, afati për paraqitjen e ofertave është zhvendosur nga 10 qershori në 22 korrik 2026, duke u ofruar operatorëve ekonomikë rreth gjashtë javë shtesë për përgatitjen e aplikimeve.

 

Përveç shtyrjes së afatit, dokumentacioni i ri përfshin edhe kërkesa shtesë për kompanitë që synojnë të marrin pjesë në garë. Kontraktori fitues do të duhet të respektojë standardet dhe detyrimet e Bankës Europiane të Investimeve në lidhje me integritetin, mbrojtjen e mjedisit dhe aspektet sociale, si dhe të përgatisë plane të posaçme për menaxhimin e çështjeve mjedisore, të shëndetit dhe sigurisë gjatë realizimit të punimeve.

 

Një tjetër ndryshim lidhet me kërkesën për paraqitjen e informacionit të detajuar mbi stafin dhe kualifikimet profesionale të personelit që do të angazhohet në projekt.

 

34 kilometra linjë e rehabilituar

Projekti parashikon projektimin dhe ndërtimin e rreth 34 kilometrave linjë hekurudhore, kryesisht mbi gjurmën ekzistuese. Punimet do të përfshijnë rikonstruksionin dhe ndërtimin e urave, nënkalimeve dhe mbikalimeve për këmbësorë, rehabilitimin e një tuneli me gjatësi rreth 380 metra, modernizimin e kalimeve në nivel dhe instalimin e sistemeve moderne të sinjalistikës hekurudhore.

 

Në paketën e investimit përfshihet gjithashtu rikonstruksioni i pesë stacioneve hekurudhore, ndërtimi ose rehabilitimi i rrugëve paralele të aksesit dhe zbatimi i masave për përshtatjen e infrastrukturës ndaj ndryshimeve klimatike.

 

Linja do të projektohet në mënyrë që të mund të elektrifikohet në një fazë të mëvonshme, duke krijuar kushtet për integrimin e saj në rrjetin modern hekurudhor të vendit.

 

Kontrata me afat zbatimi 48 muaj

Vlera e parashikuar e kontratës mbetet 90 milionë euro pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e zbatimit të projektit është përcaktuar në 48 muaj. Rehabilitimi i linjës Durrës–Rrogozhinë konsiderohet një nga projektet kryesore të modernizimit të rrjetit hekurudhor shqiptar dhe pjesë e planeve më të gjera për përmirësimin e transportit hekurudhor dhe lidhjen me korridoret rajonale të transportit.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat